Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla përsëriti sërish në mbledhjen e koferencës së kryetarëve se deri në datën 30 maj qeveria nuk do bënte asnjë propozim përsa i përket kandidatëve për president.
Balla tha se nëse opozita do të vazhdonte të vinte si kusht zgjedhjen e një prej kandidaturave të saj, atëherë nuk kishte asnjë lloj negociate në këtë rast.
Taulant Balla: Si mund t’i thuash tjetrit që hajde negociojmë, unë propozoj katër persona dhe nga këta jeni të detyruar të zgjidhni mes dy personave. Negociatë quhet kjo? Proces është ky? Jo nuk është kështu. Më mirë thoni na e jepni neve ta zgjedhim presidentin. Ne themi ndryshe, ju duhet të na i sillni zyrtarisht emrat e kandidatëve për president. Nuk ka më që unë të filloj dhe të marr nëpër gojë emra të nderuar dhe të them kush bën e kush jo. Sepse të gjithë bëjnë. Presidenti apo presidentja duhet të kalojë një proces më të gjerë.
Kemi thënë që herën e parë që të dalim direkt tek emrat dhe ju të propozonit. Nuk do propozojmë ne kandidat në datë 30, me shpresën që mund të ndodhë dhe ajo që tha Mediu. Ne marrim kandidaturat, i çojmë në kryesinë e PS-së dhe i diskutojmë. Por nëse ju quani proces këtë që ju të propozoni 4 kandidatura dhe mes tyre të zgjedhim një, kjo nuk është negociatë.
Nëse është një kandidaturë që do të vijë nga ju është në meritën e këtij procesi që duhet të vijë i mbështetur me firmat e duhura. Nëse ju zoti Alibeaj keni vënë kusht formulën “4-2-1” atëherë le t’u themi qytetarëve që nuk kemi dakordësi.
Like Page dhe Join Group