Rama, ‘3 herë mat’ me vullnet të plotë

Advertisement
Nga Bekim Bici
Më shumë se gjysmë milionë përgjigje arriti të sigurojë kryeministri Edi Rama me nismën e Këshillimit Kombëtar, pyetësor që u dërgua në çdo shtëpi, përfshirë edhe mundësinë e plotësimit të tij në mënyrë elektronike. Kjo nismë ngriti shumë pikëpyetje që në fillim të saj, një pjesë e të cilave u ka dhënë përgjigje vetë kryeministri në mënyrë të vullnetshme ose jo.
Një nga pikëpyetjet e ngritura në media është nëse kjo nismë po përdorej nga kryeministri si referendum, ndonëse ilegjitim. Përgjigjen për këtë e dha vetë kryeministri Edi Rama, i cili duke iu përgjigjur gazetarëve se përse edhe heqja e taksës së naftës nuk futej si pyetje në Këshillimin Kombëtar tha: “Politika fiskale nuk bëhet me referendume, s’ka ndodhur kurrë e nuk ka se si të ndodhë”.
Por nuk është vetëm kjo pikëpyetja që mori përgjigje nga numri një i qeverisë.
Analistët kanë ngritur hipotezën se Rama do e përdorte Këshillimin Kombëtar për të legjitimuar vendimet e tij të marra më parë, apo edhe ato që do të marrë në të ardhmen. Kjo hipotezë, sërish është legjitimuar nga vetë Rama, i cili po në konferencën për media ku prezantoi rezultatin e nismës u shpreh se të gjitha dilemat që kishte janë zgjidhur, dhe do të veprojë siç qytetarët kanë kërkuar.
“Nga ana tjetër, ne të gjitha këto pyetje apo më saktë këto dilema i kemi patur në tryezë të vendimmarrjes sonë prej disa kohesh dhe pikërisht pse kemi patur dilemë për kahjen e vendimmarrjes e kemi parë rrugën më të mirë të mundshme që t’i drejtohemi drejtpërdrejtë qytetarëve, pa asnjë dallim politik dhe të asnjë natyre tjetër, në anonimitet të plotë. Tani personalisht unë jam jashtëzakonisht i lehtësuar dhe i qartë për vendimmarrjet. Zëri i qytetarëve është kumbues në të gjitha këto drejtime që ne duam të ecim me vendimet që do të marrim dhe ne do bëjmë ekzaktësisht atë që qytetarët kërkojnë, disa gjëra më shpejtë, disa gjëra pak më ngadalë, proces është ky.”, deklaroi kryeministri.
Në të tilla rrethana ngrihet pyetja se a është shmangie nga përgjegjësitë, atribuimi i vendimeve të qeverisë, si dëshirë e qytetarëve?
Por nga ana tjetër, një pikëpyetje e ngritur nga media lidhet me mundësinë e manipulimit të përgjigjeve, thënë ndryshe, pyetësorët online të jenë plotësuar disa herë nga një person, çka do të sillte një numër më të favorshëm e bindës për qeverinë, por manipulativ i të vërtetës.
Një mundësi të tillë e pranoi edhe vetë kryeministri, por që sipas tij për efekt sondazhi e statistike mjaftojnë vetëm 1000 pyetësorë, e në rastin konkret numrat janë shumë më të lartë. Në këtë rast ngrihet një tjetër pikëpyetje: A mundet që gjysmëmilion qytetar, në rastin më të mirë kur të gjithë e kanë plotësuar nga një herë pyetësorin, të vendosin për fatin e 3 milionë të tillëve?
E gjithë kjo sjell një rezultat, kryeministri ndoshta për herë të parë bie ‘3 herë mat’ me vullnet të plotë.
Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement