“Më gjej numrin e kësaj me Toyota”, PËRGJIMET: Si u arrestuan oficerët e Tiranës

Tre efektivë të Komisariatit nr.1 në Tiranë janë arrestuar nga SHÇBA, pasi janë futur në sistmin dhe regjistrat e Policisë për të marrë të dhëna të shtetasve të tjerë, pa autorizim. Në një rast, ata janë futur në sistem për të gjetur numrin e celularit të një vajze, me të cilën kolegu i tyre ishte fiksuar kur e kishte parë në lavazh.

Të arrestuar janë policët: Durim Murja, Jashar Shehu dhe Arjan Balla; ndërsa kolegia e tyre Matilda Hamolli, është në “Arrest shtëpie”. Të katërt janë oficerë patrulle në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.

Advertisement
Elton Redi Autogas Banner

Në dosjen e siguruar nga Abcnews.al rezulton se polici i arrestuar Durim Murja është telefonuar me datë 8 gusht nga kolegu i tij Jon Burri, i cili i ka kërkuar informacion (numër telefoni, emrin etj) në lidhje me pronaren e një makine Toyota që ai e kishte parë në lavazh.

Sipas Prokurorisë, fillimisht Murja nuk ka pranuar që të japë të dhëna në lidhje me shtetasen me iniciale A.C., por pas këmbënguljes nga Jon Burri, ai i ka pyetur koleges Matilda Hamollari që t’i jepte këto të dhënat, pasi polici tjetër ishte marrosur nga vajza që kishte parë.

Hamollari dhe Murja i sigurojnë kolegut të tyre Jon Burri të dhënat e vajzës që ai kishte parë, duke kryer kështu një shkelje të rëndë të ligjit mbi të dhënat personale, krahas shpërdorimit të detyrës.

Prokuroria ka pyetur edhe vajzën që kishte fiksuar policin, por ajo është shprehur se nuk ka autorizuar askënd që të kontrollojë të dhënat e saj në sistemin e targave të policisë.

Rasti i dytë: Më 14 Gusht të këtij viti, rreth orës 00:40 është njoftuar salla operative e Tiranës dhe efektivi Jashar Shehu për të kryer një kontroll në lagjen Shkozë, pasi tek “Kamberi” kishte dasëm me muzikë të lartë dhe shqetësonte banorët. Dasma bëhej jashtë orarit policor që parashikonte mbyllje pas orës 23:00.

Efektivi i policisë Arjan Balla shkon për kontroll në këtë lokal dhe vëren se dasma po zhvillohej ende, megjithatë njofton sallën se denoncimi i ardhur ishte i rremë. Pas disa minutash e njëjta situatë përsëritet sërish. Qytetarë të tjerë telefonojnë sallën operative, të shqetësuar nga muzika e lartë që vinte nga lokali.

Pavarësisht kësaj, efektivët rreth orës 01:15 dhe 01:20 kanë njoftuar përsëri se denoncimi ishte i rremë.

Po nga këto përgjime rezulton se Durim Murja, i cili ishte në përgjim në fakt ishte i pranishëm në këtë dasëm, dhe gjatë një komunikimi me kolegun Arjan Balla i ka kërkuar që të mos jua ndërpresë gëzimin që kishin.

Në përgjime Arjan Balla shprehet i shqetësuar për ankesat dhe presionit që i vinte disa herë nga salla operative, pasi i kishte gënjyer tre herë duke thënë se denoncimi për muzikë kishte qenë i rremë. Megjithatë, ai nuk e ndërpret dasmën që ishte me muzikë mbi normat dhe jashtë orës policore.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group