Parlamenti si arenë beteje me fantazmën e Berishës

Nga Andi Bushati

Lulzim Basha ka zgjedhur arenën e vet për të zhvilluar betejën e tij indirekte me Sali Berishën. Nisur nga vizibiliteti që i ofron, nga modeli tip “Përputhen” që gjeneron audiencë, nga avantazhi  i çdo kujt që përballet me një figurë moralisht të rrënuar si Rama, ai ka vendosur që “luftën” ta zhvillojë kundër kryeministrit në parlament.

Edhe këtë të enjte, ashtu sikurse herën tjetër, ai ka fituar. Luli i dikurshëm që ulte kokën kur pacipësisht Edi i plaste në sy emrat e oligarkëve, tani është trimëruar duke u bërë i pari që i përmend ata. Ai e vuri me shpatulla për muri kryeministrin, kur i kujtoi çmimet e fundit të blerjes së energjisë dhe tenderin e para një jave për tunelin e Llogarasë.

Pra, po të bësh një bilanc nga kjo përplasje gjelash që ndodhi këtë të enjte në parlament, nuk duhet shumë për të kuptuar se Rama, si shefi i qeverisë, doli i humbur përballë rivalit në opozitë.

Por, sepse gjithmonë ka një të tillë, i pamundur për të bërë një bilanc serioz, kryeministri në mënyrë perverse e zhvendosi debatin në rrafshin personal, pikërisht tek dualiteti që ka kapluar sot opozitën. Ai s’u lodh së evokuari “foltoren”, u tall me kopjen që nuk bëhet dot kurrë si origjinali, me zërin që Basha do të trashë dhe me kërcënimet që ai lëshon, ndonëse askush nuk ia merr dot seriozisht.

Pavarësisht se në qasjen e Ramës ka shumë diversion, manipulim, përpjekje për t’u shpëtuar përgjegjësive të tij, në kundërshtinë që ai kërkon të vërë në pah mes Bashës dhe Berishës, ka një fabul të vërtetë.

E para, sepse të shumtë janë ata që besojnë se Basha po trimërohet për të përmendur dy oligarkët më të mëdhenj të Shqipërisë, vetëm nga frika se Sali Berisha po e akuzon si të kapur dhe të shitur. Se ai po “prish fjalorin” vetëm nga kompleksi se mos e kujtojnë si peng. Se ai po hyn në një betejë verbale me PS-në ngaqë do të shmangë konkurrencën me votë brenda partisë së tij.

Por, përpos vizatimit të një Bashe që ka marrë përsipër të luajë një rol, Rama ka dhe një arsye më të fortë në pëzgjedhjen e kësaj taktike. E vetmja gjë që i volit atij realisht, është përçarja e opozitës. Ai e bëri pjesën më të madhe të punës duke luajtur të gjithë gurët dhe duke paguar të gjithë lobistët që ta shpallte Berishën “non grata”. Më pas, kur kjo u bë fakt, ai nuk pranoi as të ndryshojë kushtetutën (për të përjashtuar nga Kuvendi ata që shpallen non grata), as që të urdhërojë Ilirian Celibashin, për ta penguar liderin historik të PD-së për të hyrë në parlament. Nuk e bëri, jo se kishte keqardhje për Berishën, por se donte të shkaktonte një traumë duke e detyruar Bashën të ndahej prej tij.

Për të thënë të vërtetën këtë e arriti. Sot opozita është më cfilitur se kurrë.

E gjithë kjo fabul që duket sikur i përket të shkuarës së afërt, ka një vlerë për të kuptuar atë që ndodhi sot në parlament. PD sado të duket sikur fiton në aulën e kuvendit, nuk do të përbëjë kurrrë rrezik për këtë bandë kleptokratësh, nëse ajo nuk është e unifikuar. Ajo mund të ketë kredo morale vetëm pasi të pushojnë akuzat e ndërsjellta mes grupimeve të saj. Ajo mund të ketë forcë goditëse, vetëm pasi të bashkohet rreth një lideri të vërtetë.

Prandaj, Lulzim Basha është i dënuar që para se të japë shfaqe në parlament, të zhvillojë “luftën” e tij reale brenda llojit. Edhe nëse e drejton sërisht ai, edhe nëse e këtë e bën dikush tjetër, opozita ka nevojë për një udhëheqësi legjitim. Ka ardhur koha që Basha të përballet. Sepse duke ngrehur pushkën kundër Ramës për të goditur në fakt Berishën, ai vetëm i zgjat jetën e qeverisë. Parlamenti i këtij vendi nuk mund të bëhet tregu ku PD-ja negocion hallet e saj. Basha nuk mund të ndeshet aty me babain që do ta vrasë pa i dalë përballë. Ai nuk e mposht në këtë formë fantazmën e Berishës që e lë pa gjumë.

Pavarësisht se duket si arena e duhur për të marrë vëmendje, kuvendi nuk është fusha reale e betejës partiake. Duke e zhvilluar atë me kokfortësi aty, Basha i bën njëkohësisht dëm edhe opozitarëve edhe shqiptarëve.  /Lapsi.al

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement