Deputeti i PD-së ironi me arritjet e qeverisë: Në Lushnjë nuk gjen mace, i kanë çuar në spitale të gjuajnë minjtë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se situata në spitalet e rretheve është skandaloze.

Duke marrë si shembull qytetin e Lushnjës aty ku është zgjedhur si deputet, ai thotë se në Lushnje nuk mund të bësh vaksina Pfizer ose të marrësh shërbim mjekësor kundër koronavirusit nëse nuk ke miq të fortë.

“Nga ajo që dëgjova nga qeveria u mallëngjeva. U mallëngjeva por më pas ktheva kokën mbrapsht se më dërguan mesazh nga Lushnja. Mos harro se ti flen në Lushnje, po i thashë. Mu duk kjo historia e këtyre arritjeve globale si fotografia që gjyshi i tregoi nipit. E bëri dhe e ndau në gjysëm e ja tregoi nipit. Se ishte veshur bukur me xhaketë, këmishë dhe kollare, ndërsa nga mesi e poshtë ishte lakuriq. Kështu është situata e mjekësisë shqiptare. Nuk e kemi vetëm tek vaksina, grupi parlamentar i PD-së është pro vaksinës. Por deri dje thonim çfarë vaksine të bëjmë, kinezen? Apo atë që nuk i dinim prejardhjen. Në Lushnje, për të bërë Pfizer duhet të kishe mik të fortë, duhet të ndërhyje tek politikanët. Për të bërë një skaner, të thonë po nuk pate mik, do 4 javë, po për 4 javë virusi ka hyrë e ka dalë nga trupi.

Nuk punon priza, nuk ka lëndë për të bërë skanerin. Ta kalojmë në privat. Sistemi tregoi që spitali privat i Lushnjes hodhi poshtë gjithë mjekësinë tuaj pasi përballonte gjithë qytetin. Ju se kishit kohën. Dua të falenderoj mjekët e Lushnjes, por jo drejtuesit që kishin në mendje të shihnin tenderin e urgjencës. Ju ftoj të vini të shikoni. Nuk ju kërkon shumë kohë të vini në Lushnje, veç kohën që harxhoni në parukeri. Mjafton që të shohësh spitalin pasi është beterr-mandat. U habitët nga deklaratat e mia se ka minj në spitalet. Sot në Lushnje nuk po gjen macet, i kanë çuar tek spitalet që të hanë minjtë. Kjo është situata e pandemisë” – tha Korreshi.

Nga spitalet, Korreshi e përqëndroi deklaratën e tij tek nisja e vitit të ri shkollor dhe masat e marra nga qeveria për shkollat. Ai thotë se shkollat nuk kanë as tualete normale, por qytetarët i quajnë qenefe ose hale.

“Pse duhet të gënjejmë qytetarët? A e dini që infermierët po gëzojnë që jemi në kushte pandemie. Pasi bëjnë shërbime në shtëpi dhe kërkojnë 50 mijë lekë (të vjetra). Kosto ku shkon. Ka bërë ndonjë kosto qeveria për këto. Bëni për të kuptuar si është e vërteta. Spitali i Lushnjes është kthyer në një spital që bën vetëm synetllëqe dhe nga dy herë apandesitin. Ne kemi të gjithë pleq në shtëpi, falenderojmë zotin që kemi shëndet se do një orë e gjysëm të vijmë deri në Tiranë. Nuk ka asnjë ndihmë të parë në Spitalin e Lushnjes. Asnjë masë nuk keni marrë për shkolla, nuk as nevojat më minimale. Një shkollë elitë, gjendja është katastrofë. Kur flasim për tualetet, ne kemi disa kategori të thënit, hale, qenef, nevojtore dhe tualet. Ne jemi në kufijtë e qenefit dhe hales në Lushnjes. Po kërkojmë banjo. E kuptoni ku është kjo propaganda juaj” – tha Korreshi.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement