Berisha për Bashën: Nuk është çështje mes besëprerit dhe të njeriut të besë, por…

Ish-kryeministri Sali Berisha nga Shkodra deklaroi se në mbrojtje të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha të cilin e cilësoi sërish ‘peng’ u sul e gjithë propaganda e qeverisë.

Nga ‘foltorja’, aksion që Berisha po e mban në çdo qytet pas përjashtimit të tij nga PD-ja, theksoi se kjo nuk është një çështje mes tij dhe Bashës, por bëhet për votën.

“Ju konstatoni se në mbrojtje të peng kryetarit është vërsulur e gjithë propaganda e qeverisë. Përpiqen që të paraqesin variante nga më të ndryshmet, por e vërteta është se pengu është krejt i pashpresë. A është kjo një çështje mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës? Jo, nuk është! Unë kam të drejtë morale të them se kjo është një çështje mes të pabesit, besëprerit, dhe njeriut të besë. Jo nuk e them këtë. Por është një çështje themelore për pluralizmin shqiptar. Që nga themeli i PD dhe pluralizmit deri më sot, pluralizmi s’ka qenë në giotinë siç është këtë herë.

Pluralizmi politik bazohet në organizata demokratike. Partia qe përmbysi komunizmin sot ka në krye një ish-kryetar i cili deklaron se; Nuk pyes për forumet e partisë, për anëtarësinë e partisë, nuk lejoj, nuk shkon për të votuar propozimin e tij në Këshill Kombëtar sipas statutit forumin që keni zgjedhur për të marrë masa disiplinore. Nuk lejoj që të mblidhet kuvendi, nuk njoh referendumin. Kjo de-facto është asgjësim i PD-së. Sot po mos të jemi ne këtu me vendosmërinë tonë, Shqipëria ka një narkokrytar që është Edi Rama dhe një peng të tij, Lulzim Basha. Sot dua të falënderoj këtu nënkryetaret e bashkisë, kryetarët e grup seksioneve që janë të pranishëm, por dua t’ju çoj një mesazh të gjithë të tjerëve; zotëri nuk është çështja këtu mes Sali Berishë dhe Lulzim Bashës, por çështja është jetike për votën.
Nëse ju pranoni që kësaj partie t’i mohohet e drejta e votës, forumeve apo statuti të shkelmohet, lexoni pak dhe mendoni mirë se të tillë nuk mund të jenë kurrë qytetarë të lirë. Të tillë janë vetëm pengje, mercenarë, s’janë kurrë burrat dhe gratë që i besojnë lirisë dhe pranojnë diversitetin e mendimeve. S’kemi problem se Lulzim Basha mendon me një qëllim të caktuar për Sali Berishën, por problemi është se ai merr një vendim që se ka në tagër. S’ka guxim të pyes për Këshillin Kombëtar, për kryesinë, apo grupin parlamentar. Nuk guxon të mblidhet kuvendi. A ka mundësi ta di? Nga e morën këtë? E gjetën personazh nga Franc Kafka apo e nxorën nga…Edhe ai në diktaturë i ndiqte procedurat. I çonte në litar, por procedurat e i ndiqte me radhë. Ky nuk ndjek asnjë procedurë. Dua t’iu bëj thirrje çdo demokrati që të veprojë mbi këtë bazë. Koha është kritike.

Ne duhet të bashkohemi. Ata të cilët u shprehen pas 4 humbjeve me radhë se PD duhej të shkrihej, nuk ishin antidemorkatik dhe armiqtë tanë. por e panë se me këtë drejtim kjo parti s’fiton kurrë. Që të dilte një forcë politike që të bëhet opozitë e vërtetë. Opozitë e vërtetë do të bëhemi ne. PD do të rikthehet në opozitë siç ishte.”, pohoi ai.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement