Varfëria dhe shteti vrau oficerin Saimir Hoxha

Nga Almer Toska –

Oficeri Saimir Hoxha u varros sot si dëshmor i atdheut, me ceremoni siç e meritojnë heronjtë dhe i riu Aldi Rama që i shkaktoi vdekjen do të varroset nesër i braktisur nga të gjithë ashtu siç ai u rrit.

Ky është fundi i një kronike tronditëse me doza të larta dhimbje që ta ngushton shpirtin dhe të bën që të harrosh ngarkesën e problemeve të përditshme që mbart në kurrizin e tij rutinor çdo shqiptar.

Gjyshi im më thoshte që dëshmorët që bien për mbrojtjen e atdheut nuk vdesin kurrë por rrinë mbi kokat tona si engjëll mbrojtës. Saimir Hoxha nga sot e tutje nuk do të na mbaroj nga toka por do të na mbroj nga qielli.

Kur kanë kaluar mbi 24 orë nga ngjarja e rëndë e Lezhës debati është zhvendosur se përse fati i zi solli përballë njëri-tjetrit komisar Saimirin dhe Aldin që kishte zgjedhur që të ia dilte të mbijetonte në këtë jetë ku askush nuk t’i hedh sytë kur je në vështirësi duke u futur në rrugën pa kthim të drogës.

Veprimtaria e kultivimit të kanabisit në vitet e fundit ka marr një dimension të lakmuar në shoqërinë shqiptare, e nxitur kjo nga flirti ekonomik midis disa të rinjve që e shikojnë si të vetmen rrugë dhe strukturave policore që në shumë raste janë ortak në biznesin me fund të hidhur.

Kanabisi në Shqipëri është i pranuar në çdo kohë por në disa periudha kohore ka qenë më prezent dhe në disa të tjera i lokalizuar në fshatra të caktuar. Por pas vitit 2013, kanabisi u kthye në bimën magjistare që të bën milioner për pak muaj. Toleranca shtetërore herë-herë edhe bashkëfajtore në ngritjet e mitit të pasurisë nëpërmjet bimës që të bën me krah dhe të merr mendjen, i dha shpresë mijëra familjeve që jetonin në skamje dhe varfëri se do të ishte për ta e vetmja rrugë shpëtimi për familjet e tyre halle mëdha.

Shteti si bashkëpronar djallëzor i parcelave të kanabisit me kultivuesit hallexhinj, u bë shkaktari që edhe të rinjtë si Aldioni ta gjenin veten në rrethin e ferrit të paligjshmërisë që buron nga bima mëkatare.
Kultivimi dhe përdorimi i lëndëve narkotike dhe braktisja e shkollës për shkak të kushteve të vështira ekonomike, janë dy problemet kryesore me të cilat ndeshen sot të miturit. Të dhënat e raportit “Save the Children” tregojnë se 85% e nxënësve, veçanërisht djemtë, shtyhen të përdorin substanca narkotike kryesisht nga nevoja për t’u dukur dhe nga kureshtja.
Ndikimi i shoqërisë dhe konfliktet në familje, janë gjithashtu disa nga shkaqet pse fëmijët i drejtohen përdorimit të drogës. Shqetësimet kryesore të identifikuara nga fëmijët në sondazh kishin të bënin me faktin që më shumë se 60% e fëmijëve thonë që numri i përdoruesve të substancave narkotike ka tendencë të rritet vazhdimisht, 53% e fëmijëve thonë që paratë për të blerë drogën sigurohen nëpërmjet vjedhjes, marrjes së parave borxh apo shitjes së drogës.
Nuk dua të ngre turfullima me doza inati siç mund të shprehet i tufanosur një njeri i zakonshëm që shteti ia ka sjellë në maj të hundës me neglizhencën e vet vrastare në çdo hallkë të pushtetit por e them me bindje se oficer Saimiri do të ishte pranë fëmijës dhe fëmijëve nëse ai operacion i zi do të ishte koordinuar siç duhet me një plan masash. Shumë kush mund të mendoj se shteti dhe institucionet ligj zbatuese janë dyfish fajtor në një ngjarje ku humbën dy jetën njerëzish. Dy herë fajtor sepse sipas specialistëve nuk mund të shkohet në operacione me rrezikshmëri të lartë pa pajisjet vetëmbrojtëse dhe dyta Aldi që në këtë rast është agresori dhe viktima duhet të ishte në arrest-shtëpie dhe jo në parcelat e kanabisit që ai mendonte se do e nxirrnin nga bataku i vuajtjeve ne te cilat ishte rritur.

 

 

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement