“Saimiri ishte optimist për punën e tij”/ Miku i policit të ndjerë bën deklaratën e fortë: Grupi kriminal mund të mos ketë pasur…

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Lezhës dhe jo vetëm. Oficeri i policisë, Saimir Hoxha ka mbetur i vrarë me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ishull-Lezhës.

Emisioni “Shqipëria Live” në Top Channel nisi pikërisht me këtë ngjarje që tronditi gjithë vendin. Në një lidhje telefonike ishte miku i të ndjerit, Alfred Qafa, i cili tha se ai dhe i gjithë rrethi i Pukës janë shokuar nga ky lajm.

“Jemi nga një rreth i Pukës. Kam patur fatin të punoj me të gati 3 vite. Ka qenë në polici para meje. Ai po bënte mbi 15 vite, ka qenë shembullor. Ka pasur disa pozicione të ndryshme në Policinë e Shtetit. Unë jam ndjerë i shokuar si shumë kolegë dhe të afërm të tij. I gjithë rrethi i Pukës është i shokuar”, tha Qafa, i cili shtoi se nuk ka informacione rreth vrasjes, pasi lajmin e kanë marrë vesh nga mediat.

I pyetur se kur ka qenë hera e fundit që e ka takuar, miku i të ndjerit tha “para një jave” dhe sipas tij, ai ishte shumë optimist në punën e tij dhe shumë korrekt. “Është vrarë një njeri i nderuar”, tha ai.

Duke komentuar detajet që janë dhënë në media në lidhje me ngjarjen e rëndë, Qafa tha se Saimiri së bashku me kolegët duket se kanë qenë të përgatitur për një kontroll rutinë dhe jo për një përballje me grup kriminal.

“Oficerët e policisë janë gjetur në një befasi. E në momentin që është bërë vrasja e Saimirit, kolegët mund të kenë pasur një shtangie. Mund të kenë qenë të papërgatitur për këtë rast”, tha miku i të ndjerit.

Qafa bëri edhe deklaratën e fortë, ku u shpreh se shpeshherë ka bashkëpunim mes krimit dhe policisë.

“Grupi kriminal mund të mos ketë pasur njoftim nga policia se do kenë vizita dhe janë gjetur të papërgatitur. Nëse do ishin informuar nuk do ishin aty.

Ke disa oficer policie në burg apo të tjerë në kërkim për këto lloj bashkëpunimesh. Kemi raste kur Policia e Shtetit bën asgjësimin e hashashit por nuk e bën publike, për të mos rritur statistikat e tij”, përfundoi Qafa.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement