Pse hesht për Berishën? Rama: Shqipëria ka hyrë në fazë të re, s’ka më asnjë monument të parrëzueshëm të së shkuarës së korrupsionit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pyetur nga gazetari i VOA se pse hesht për Berishën dhe përcaktimin e tij ‘non-grata’ nga SHBA

Rama thotë se nuk ka nevojë për koment pasi është fakt në sytë e të gjithë shqiptarëve.
Gjithashtu ai thekson se tashmë Shqipëria ka hyrë në fazë të re dhe nuk ka më monumente të parrëzueshëm të të shkuarës së korrupsionit dhe pengimit të demokracisë.

PJESË NGA INTERVISTA
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, deri më sot ju nuk jeni prononcuar lidhur me përcaktimin e Sekretarit të Shtetit për ish kryeministrin Berisha, pavarësisht se bëhet fjalë për një ngjarje jo të zakonshme. Përse keni zgjedhur të heshtni?
Kryeministri Rama: Flet vet Sekretari i Shtetit në këtë rast dhe mendoj që çdo prononcim në këtë drejtim do të politizonte edhe më shumë një fakt, i cili nuk ka nevojë për koment, një fakt që është në sytë e gjithë shqiptarëve, jo sot, por prej vitesh e vitesh, një fakt që tregon se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe se nuk ka më asnjë monument të parrëzueshëm të të shkuarës së korrupsionit dhe të pengimit të demokracisë.
Zëri i Amerikës: Në mbledhjen e parë të qeverisë ju miratuat ngritjen e Agjencisë për Media dhe Informim. Ky vendim ka hasur këto ditë kritika nga komuniteti i mediave në vend, duke shprehur shqetësim për një centralizim, propagandë dhe kontroll të informacionit, i cili u serviret i gatshëm. Si do t’iu përgjigjeshit ju kritikave të tyre?
Kryeministri Rama: Ky është një reagim që vjen me siguri nga mosnjohja dhe moskuptimi i rolit dhe i misionit të kësaj agjencie. Agjencia është ndërtuar mbi modele të konsoliduara në vende shumë të zhvilluara demokratike. Republika Federale e Gjermanisë e ka identikisht të tillë dhe, në fakt, prej shembullit të saj ne kemi krijuar këtë agjenci. Ata e quajnë Zyra për Mediat dhe Informimin e Qeverisë, ne e kemi Agjencia për Median dhe Informimin pranë Këshillit të Ministrave. Po kështu edhe Italia, po kështu edhe vende të tjera. Dhe kjo agjenci nuk ka lidhje fare as me propagandën as me kontrollin, por ka lidhje me një rritje të kapacitetit të qeverisë për të ndërvepruar me opinionin publik dhe me burimet e informacionit, në mënyrë që të garantojmë që informacioni, që kërkohet nga qeveria, të jetë sa më i shpejtë dhe njëkohësisht sa më integral në funksion të mediave dhe, nga ana tjetër, që qeveria të jetë në vijimësi e informuar dhe natyrisht e vetëdijshme deri në fund për opinionet e qytetarëve, për opinionet e mediave dhe opinionet në mjedisin pluralist shqiptar.
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, edhe një pyetje të fundit. Vitin e ardhshëm, në janar, Shqipëria do të bëhet për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Çfarë pritet nga Shqipëria në këtë rol?
Kryeministri Rama: Ne kemi një program të anëtarësisë sonë në Këshillin e Sigurimit. Është një program që është mirëpritur nga të gjithë. Ne jemi një vend i vogël, por jemi një vend krenar dhe kemi çfarë të sjellim si kontribut, sepse kemi një histori tonën, e cila ka vlera të rëndësishme, dhe kemi njëkohësisht tanimë një nivel të ri të vendit në arenën ndërkombëtare, që na jep këtë mundësi të madhe, por që njëkohësisht na bën që të jemi të pranishëm në tryezën e Këshillit të Sigurimit me dinjitet dhe natyrisht si të barabartë me të tjerët.

 

 

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement