“Saimir Korreshi” dhe pseudo intelektualët

Nga Bekim Bici

Pas më shumë se 2 vitesh pa një opozitë në Kuvend, më në fund, në orët e para të së premtes u shfaqën shenjat e para të ekzistencës së saj, ekzistencë që në fakt do të nxirrte zbuluar kapacitetin e vërtetë të një pjese të mirë të atyre që sot përbëjnë grupin e intelektualëve të këtij vendi.

Saimir Korreshi, me profesion avokat dhe me gradën Doktor, do të shkaktonte shumë hilaritet në atë që quhet si tempull i demokracisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. I zgjedhur nga lushnjarët për t’i përfaqësuar në Kuvend, Korreshi si askush tjetër në atë ngrehinë, zgjodhi të fliste me gjuhën e zgjedhësve të tij. Zgjodhi të fliste si lushnjarët, për lushnjarët dhe të gjithë ata që kanë të njëjtat probleme, halle e shqetësime. Në vend se të fliste me terminologji politike, dredharake, hilacake, Korreshi, zgjodhi të folmen lushnjare. Fundja ishte fjala e tij e parë në atë vend ku do të përfaqësojë për 4 vite, nëse e lejojnë intelektualët dhe politika dredharake, votuesit e tij.

Fatkeqësia qëndron jo vetëm në faktin se me të u zgërdhi qeveria, as me faktin se u shkri kryetari i opozitës e kolegët e tij nga opozita, por me mendjengushtësinë e pseudoibtelektualëve dhe pseudoanalistëve të kanaleve televizive, që vërshuan me analizat e tyre dhe përqeshjet e sulmet direkte e indirekte ndaj këtij deputeti. Të gjithë u morën me të folmen, mënyrën e të shprehurit, frazeologjinë e përdorur, hilaritetin që shkaktoi, por askush ose shumë pak, numërohen me gishta, nuk u mor me përmbajtjen, esencën e atij fjalimi. Korreshi preku problematikat kryesore të lushnjarëve, sepse fundja për këtë u zgjodh, dhe denoncoi me gjuhën e atij fermerit lushnjar por edhe atij katundarit të thjeshtë, që nuk i intereson politika, por ajo që ka për detyrë të bëjë politika. I intereson puna e jo guna.

Në këtë batak injorancë krahas analistëve, ranë me të dyja këmbët edhe shumë kolegë të mi, që të gjendur në fuqinë e lajmeve të portaleve dhe memeve, harruan të analizojnë dhe shpërfaqin problemet që ngriti “humoristi” Korreshi. U morën me miun, me mishin, me peshkun, me të rruajturën e lekëve, u morën ‘pa behet kështu”, por nuk u morën me papunësinë, varfërinë, mungesën e subvensionimeve për fermerët, rrogat e ulëta, e shumë probleme të tjera jo vetëm të lushnjarëve që përfaqëson Saimir Korreshi, por edhe të pjesës më të madhe të shqiptarëve.

Është e turpshme sesi ne jemi të parët për rë dhënë mend, të parët në frazeologji të urta popullore, por të fundit në vepra. Themi “mos i shiko gunën, por shikoi punën” por si në rastin e Korreshit, ashtu edhe të Bora Muzhaqit, treguam të kundërtën. Edhe për ministren, ndoshta e folura nuk është arma e saj fortë, dhe kjo duket zaten, por lëreni të shfaq programin e saj, dhe vlerësojeni, shqyejeni, pasi të mos ketë punuar.

Unë mbështes Saimir Korreshin, e të gjithë Saimirët tjerë, që në atë ngrehinë do të flasin pa një letër të shkruar nga partia, por me gjuhën zërin e zgjedhësve të tyre. Që do të ngrenë problematika e japin zgjidhje, por edhe nëse nuk lejohen të japim zgjidhje, të paktën ngrenë zërin, nuk heshtin.

Mos harroni, keni patur kryeparlamentare që kurrë nuk la shkodrançen, edhe President e Kryeministër që skishte turp nga tropojançja, as edhe të tjerë kryeministra, ministra, kryetar bashkish etj, që nuk patën turp e ngurrim të flasin në të folmen e tyre dhe zgjedhësve që i besuan.

O kolegë dhe ju pseudo intelektualë, ka shumë problematika që do mbanin televizionet me lajme pa fund që u ngritën nga Korreshi, e jo të bini në batakun e portaleve që mbahen nga klikimet. Merruni me përmbajtjen e jo fasadën, se ndaj spo shohim hajr!

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement