Me Berishën apo Bashën, me kë duhet të jemi sot?

Nga Taulant Halili

Me Berishën apo me Bashën? Kjo është pyetja që vërtitet sot në diskutimet që behën kudo nëpër Shqipëri, jo vetëm mes të djathtëve, por dhe mes qytetarëve që ndjekin me endje zhvillimet politike.

Shkas për këtë shkrim u bë një foto që unë (Taulant Halili me profesion gazetar) hodha një natë më parë, ku riktheva në kujtesë një fotografi me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Pikërisht pas kësaj foto kam marrë me dhjetra mesazhe dhe telefonata, por që asnjërën nuk e kuptova qartë.

‘Kujdes me qendrimet, duhet të jemi të bashkuar’, kjo është përmbledhja e mesazheve që më vinin me sms apo në cel herë pas here.
Prandaj, jo vetëm për të sqaruar ata që kanë dyshime se me kë jam unë në këtë betejë ‘bigësh’, por edhe për të ndihmuar se me kë duhet të jenë ata, po ju them: Për ne shqiptarët më e rëndësishme është Shqipëria, jo partia.
Askush nuk duhet të ketë frikë për bindjet personale, askush nuk duhet të friksohet nga bindjet e tjetrit, por të gjithë bashkë e secili më vete duhet të shohim realietin në sy, edhe kur ai djeg, apo edhe kur duhen ndryshime.

Nëse sot PD është në një betejë mes vetes, kjo nuk duhet të ndajë të djathtët, por as ata (si puna ime) që e shohin si një alternativë për të na qeverisur nesër.
Partia Demokratike lindi si parti vlerash dhe lirish, si parti që solli ndryshimin, prandaj debati i brendshëm mes kësaj force politike kurrsesi nuk duhet të ndajë krahë, nuk duhet të sjellë përçarje se ti je i atij, apo i joni.

Nga më i vogli tek më i rrituri të gjithë jemi dëshmitarë të së sotmesh, pluralizmit politik, i cili nuk erdhi nga hiçi, por e solli fryma, protesta dhe dëshira për liri e shqiptarëve, të cilët të grupuar sollën demokracinë në vend nën udhëheqjen e PD-së.

Partia Demokratike nuk është as e Sali Berishës që ishte aty kur u krijua dhe u rrit, por as e Lulzim Bashës që është sot në krye.
PD është vlerë, është histori, është partia e gjithë shqiptarëve (njësoj është edhe PS, parti e shqiptarëve jo e kriminelëve).

Prandaj sot nuk është as koha, as momenti, por as niveli i diskutimit për të thënë mes nesh nëse je i Lulit apo i Berishës, pasi sot më shumë se kurrë shqiptarët duhet të jenë të Shqipërisë, dhe e keqja e vendit nuk është PD në beteje mes vetit, por Shqipëria në betejën mes së keqes që ka kapur vendin.

Sot nuk është koha të diskutojmë se kush do fitojë mes Berishës apo Bashës (Do fitojë ai që ka luftuar dhe lufton për demokracinë), sot (jam shumë i vogël për të bërë këtë thirrje) por në emër të të gjithë atyre që e duan Shqipërinë para partisë ju them: Sot është koha që ne të gjithë bashkë pa ndasi partiake, bindjesh politike, idhujsh apo idesh në radhë të parë të shohim njëri-tjetrin dhe veten se ku jemi zhytur, ku vlerat tona po humbasin çdo ditë e më shumë.

Prandaj sot më shumë se kurrë duhet të bashkohemi për të rrëzuar këdo që ka kapur Shqipërinë dhe bashkëpuntorët e tij.
Sali Berisha apo Lulzim Basha, janë thjeshtë emra, diferencën e bëni ju dhe historia!

 

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement