“Rrezikohet që mësimi të bëhet online”, Mehmeti: Goditja e fundit për arsimin, shteti nuk mori masa

Fillimi i vitit të ri shkollor u shty për në datën 27 shtator, ndërkohë që prej datës 1 filloi mësimi plotësues, por që u vendos të ishte fakultativ.
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj ka folur për vështirësitë që hasin nxënësit dhe sa efektiv është ky mësim në kushtet e pandemisë dhe problematikave të mësimit online.

Mehmeti: “Mësimi plotësues siç quhet, në këndvështrimin tim ka një problem shumë të madh sepse arsimi i detyruar është i detyruara, nuk thuhet të shkojë kush të dojë, por kjo është çështje tjetër. Këtu sheh që ka një diferencë shumë të madhe pasi nga klasa 1-6 shkojnë në shkollë, pastaj të tjerët janë shumë indiferentë dhe në gjimnaz bie. Vetë drejtuesit e gjimnazeve kanë pranuar që nga rreth 1500 nxënës shkojnë rreth 200 në shkollë. Pyetja është se me çfarë bëhet mësim? Ata i kanë dorëzuar librat, nuk kanë tekste, s’kanë me çfarë bëjnë mësim. Pikëpyetja më e madhe është a ka një program? Pikëpyetja tjetër është kush e ka bërë studimin ku janë vështirësitë? Mësimi plotësues është bërë për një arsye të vetme në gjykimin tim, të shmangin infeksionin. Kanë pasur frikë të shpërthimit të infeksionit në grupe të mëdha. Ky është një eksperiment. Pra ne nuk marrim dot masa, sepse nuk kemi masa. ”
Zoti Mehmeti u shpreh se rrezikohet që mësimi të zhvillohet sërish online duke qenë se nuk ka ende një program dhe një plan të qartë se çfarë do të ndodhë. Nëse mësimi zhvillohet sërish online, kjo do të jetë goditja e fundit sipas zotit Mehmeti.

Mehmeti: “Pyetje ime e drejtpërdrejtë është lere mësimin plotësues, çfarë do bëjmë gjatë vitit? Çfarë do ndodhë gjatë vitit? Nëse ti thua që unë kam udhëzimin e vitit të kaluar dhe thua kam 3 skenarë atëherë mendja mua më shkon që ti do bësh mësim online. Nëse do t’i riktheheshim mësimit online efektet do të ishin negative, shkatërruese, kjo do të ishte goditja e fundit që do t’i jepet arsimit. Mësimi online dështoi. ”
Që mësimi mos të bëhet online, zoti Mehmeti tha se shteti duhet të kishte marrë masa më parë duke marrë godina me qira të cilat do të ishin gati tani në nisjen e vitit të ri shkollor. Sipas tij arsimi është çështje emergjente që nuk pret, ndërsa investimet në fushat e tjera presin.
Mehmeti: “Shteti ka pafund para, ka pafund që jep për PPP, pafund që jep për këngëtarë, për lulishte. Mund të presë një lulishte, edhe një segment rruge mund të presë, arsimi nuk pret, e ardhmja e fëmijëve tanë nuk pret. Emergjenca e emergjencave. Mund të ndërpritje një aeroport se nuk ishte emergjencë e madhe, mund të planifikohej pas 3 vjetësh. Dy kemi emergjenca, shëndetësia dhe arsimi.”
Sipas ekspertit, po kërkohet një platformë për dearsimimin e shqiptarëve, sa më pak të arsimuar, më shumë të nënshtruar. Kjo është arsyeja që kemi indiferencë të madhe ndaj arsimimit.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement