Nga Tayna te Noizy dhe Ledri/ Sa u paguan këngëtarët këtë sezon veror

Në klubet e natës, në të gjithë botën, pistat e vallëzimit dikur të mbushura me njerëz kanë mbetur bosh për muaj të tërë. Klubet janë vende që ofrojnë kontakte të afërta: Njerëzit ndajnë pije, përqafohen, puthen dhe në përgjithësi “pushtojnë” hapësirën personale të njëri – tjetrit, deri në orët e para të mëngjesit.

Dhe ndërsa një arratisje e tillë dhe një mundësi për t’u argëtuar u mirëprit këtë vit, pas bllokimeve të zgjatura në mbarë botën, për shkak të pandemisë, situata e sezonit veror që sapo u mbyll, nuk ishte fatlume për jetën e natës.

Disa përpjekje që vitin e shkuar për të rihapur klubet dhe vendet e muzikës “live” ofruan optimizëm për këtë vit, megjithatë menaxherët e klubeve të natës në zona të ndryshme të bregdetit pohojnë për “Monitor” se viti 2021 nuk ishte aspak i ngjashëm me 2019-n.

Industria e argëtimit dhe mikpritjes ishte një nga sektorët e parë që u mbyll nga qeveria një vit më parë. Gjithashtu, është një nga të paktët që me vështirësi është rihapur nga atëherë. Edhe kur baret organizuan një rikthim të pjesshëm verën e kaluar, pothuajse të gjitha klubet e natës mbetën të mbyllura dhe atyre iu është dashur të mbijetojnë. Shumë prej tyre nuk janë rihapur më në kryeqytet. Tendenca që u vu re vitin e shkuar ishte përfshirja e muzikës në ambientet me tarracë ose oborr të restoranteve, si dhe përqendrimi më i madh në bregdet.

Numri i të infektuarve po rritet sërish Europë pasi varianti Delta, shumë infektues, përhapet në mesin e popullatës së pavaksinuar dhe pjesërisht të imunizuar, e cila është kryesisht e re, pasi ata ishin të fundit në radhë për të marrë një vaksinë.

Në të njëjtën kohë, disa vende europiane vendosën të rimëkëmbin ekonomitë e tyre të natës, duke lejuar që baret dhe klubet të rihapen për publikun, pas 16 muajsh mbyllje, gjë që i la shumë njerëz jashtë biznesit. Në Shqipëri, jeta e natës u përqendrua në bregdet dhe u kufizua me orarin e mbylljes 23:00.

Moti ndaj Stuhisë

Disa nga ndryshimet kanë ardhur nga nevoja. Një pjesë e vogël e klubeve mundën të hapin aktivitetin gjatë korrikut dhe gushtit, kur bregdeti i Jugut të Shqipërisë ka qenë më i zhvilluari. Vende si Dhërmiu, Jali dhe Saranda kanë pasur aktivitet të plotë të klubeve të natës gjatë sezonit veror.

Vija bregdetare e Adriatikut, duke nisur nga Velipoja, e duke vijuar me Shëngjinin, Gjiri i Lalëzit, Plazhin dhe Golemin kanë qenë pikat e tjera ku klubet janë hapur e kanë funksionuar. Në komunikime me klube të shumta, ata pohojnë se nga ky vit pretendonin më tepër frekuentim, por ndikimi i Covid në ekonominë e shqiptarëve, ka ndikuar padyshim.

Përfaqësues të “Yacht Club Shëngjin” pohojnë për “Monitor” se situata këtë vit ka qenë e vakët. Përveç klubeve dhe stafit të tyre, muzikantët dhe profesionistët e tjerë të argëtimit janë goditur rëndë nga pandemia. Shumica e muzikantëve punojnë të pavarur dhe shumë pak artistë me kohë të plotë kanë marrë papunësi që barazohet me çdo lloj page të jetueshme gjatë mbylljes.

Pa burime të shumta të ardhurash, disa prej tyre do të kenë probleme financiare para se të rikthehen në skenë dhe do të detyrohen të kërkojnë punë të tjera. Askush nuk është ende i sigurt se si do të ndikojë kjo në argëtimin e drejtpërdrejtë në planin afatgjatë, por pronarët e klubeve kanë gjetur mënyra për të sjellë muzikën live kudo që të munden, përfshirë edhe hotelet, të cilat këtë vit kanë organizuar net të muzikës live.

Burime nga “Hotel Adriatik Durrës” pohuan se netët live kanë qenë të preferuarat e pushuesve këtë vit, shqiptarë, por edhe të huaj. Këngëtarët kanë qenë të gatshëm të performonin në datat që u është kërkuar dhe kjo ka ndihmuar edhe situatën e biznesit të muzikës këtë vit.

Xhani Demika, menaxher i “Orange Club Sarandë”, si dhe menaxher i disa nga artistëve më në zë në vend, pohon për “Monitor” se, këtë vit flitet për përgjysmim të pagesave të këngëtarëve. Sipas tij, situata e pandemisë që ka prekur rëndë sektorin, ka ndikuar te pagesat e artistëve, të cilët kanë ofruar performancat e tyre muzikore për 50% më pak se vitet e mëparshme.

Një tjetër element që ka ndryshuar, sipas z. Demika, është padyshim konsumi. Mesatarja e shpenzimit për një tavolinë në një natë ka qenë 80 mijë lekë, dukshëm më pak se vitet para pandemisë. Megjithatë, frekuentimi nuk ka qenë i ulët dhe netët në klube janë preferuar masivisht nga të rinjtë këtë vit.

Nuk është e vështirë të kuptosh se për të joshur turmën dhe për ta bërë atë që të shpenzojë mjafton t’i ofrosh muzikë ritmike. Nuk ka rëndësi nëse është muzikë e mirëfilltë apo janë thjesht këngë komerciale, mjafton që në skenë të ngjiten këngëtarë të cilët, pavarësisht cilësisë së zërit, të kenë pamje joshëse. Këtë tipar, një pjesë e mirë e këngëtareve shqiptare e plotësojnë

Ermali, menaxher i “Folie Marie Jal”, thotë se, frekuentimi këtë vit u penalizua nga ndërprerja e muzikës në orën 23:00. “Kjo fashë orari sigurisht që ndikoi duke iu shtuar krizës së mëparshme në këtë sektor. I gjithë turizmi u prek nga pandemia, por klubet ishin ndër më të goditurit. Shumë turistë të huaj erdhën në Shqipëri këtë vit dhe ata e duan muzikën, jetën e natës. Mirëpo orari 23:00 na penalizoi, shumica shkonin në Greqi, ku nuk kishte fasha orari. Kemi vënë re edhe tkurrje të shpenzimeve në klube për shkak të pandemisë këtë vit – thotë menaxheri i “Folie Marine”.

Nga biseda me burime të shumta nga klube në bregdet, të cilët nuk duan të citohen, ata pohojnë se, një prej problemeve më të mëdha për industrinë në tërësi është mungesa e qasjes së përshtatshme në fonde për të ndihmuar që klubet të mos mbyllen fare, ndërsa faturat e qirasë vazhdojnë të vijnë.

Duhet pasur parasysh se një pjesë e mirë e klubeve në bregdet janë të lidhura me një ‘mëmë’ në kryeqytet dhe në Tiranë ato kanë qenë të mbyllura. Pas sezonit veror dhe rritjes së numrit të infektimeve nga versioni Delta i koronavirusit, në Tiranë nuk shpresohet një rihapje e klubeve pas shtatorit. Duhet rikujtuar që aktiviteti i klubeve të natës në kryeqytet pas sezonit veror, konsiderohet si burimi kryesor që kishin dikur këngëtarët, krahas albumeve apo projekteve të reja.

Andi Islami, menaxher artistik, pohon për “Monitor” se në kushtet e koronavirusit, këngëtarët janë drejtuar të gjithë drejt online-t, publikimit të këngëve në YouTube apo klipeve, si mënyrë që të mbijetojnë e të mbajnë emrin në krye të klasifikimeve.

Rënia e biznesit të argëtimit gjatë verës, në fakt, nuk është një dukuri vetëm shqiptare, ajo po vihet re në shumë kryeqytete të Europës të cilat janë të famshme për diskot dhe klubet e argëtimit në sezonin veror. Goditjen më të madhe këtë vit e ka marrë Ibiza, Barcelona, Londra etj. Madje këta të fundit po i kthejnë sytë nga tregje si Azia, që ende është e “uritur”, ndërsa po i besojnë gjithnjë e më shumë edhe teknologjisë së “zgjuar”.

Nga Noizy, Tayna, Ledri e Dafina, çmimet që paguheshin

Shifra

50% është ulur konsumi në diskot verore pas pandemisë

50% janë përgjysmuar pagesat e këngëtarëve për natë

Fenomeni

Konkurrenca ka shtuar ofertat ekstreme dhe kjo bën që klienti të mos jetë besnik i një klubi, por të rendë pas këngëtarit të preferuar

Struktura e përgjithshme e të ardhurave e klubeve të natës në bazë të konsumit/

Rreth 30% nga konsumi i birrës

Rreth 40% nga konsumi i pijeve të forta

Rreth 10% nga konsumi i pijeve joalkoolike

Rreth 20% nga konsumi i shampanjës

Nga Noizy, Tayna, Ledri e Dafina, çmimet që paguheshin

Ndikimi në botë
Industria e bareve dhe klubeve të natës pati mbi 25 miliardë dollarë në të ardhura vjetore në SHBA për vitin 2020, ndërsa biznesi i koncerteve parashikohej të arrinte në rreth 35 miliardë dollarë këtë vit. Por jeta e natës mbetet e prekshme ndaj efekteve afatgjata të ndërrimeve ekonomike dhe sociale që ka bërë COVID-19.
Në këtë pikë, çdo shpresë për një kthim në normalitet ishte shkatërruar, me afate të paqarta të rihapjes që shtriheshin deri në vjeshtë në shumë qytete dhe qendra të jetës së natës. Edhe kur bizneset filluan të hapen në të gjithë vendin dhe në të gjithë botën, industria e jetës së natës në SHBA mbetet e mbyllur. Jeta e natës në ambiente të mbyllura as renditet fare në udhërrëfyesin e planit të rihapjes me faza të Nju Jorkut, dhe klubet e rihapura në vende, përfshirë Korenë e Jugut, kanë qenë të lidhura me përhapjen virale.
Festat në shtëpi tashmë janë të shumta. Por këto opsione mbeten në kundërshtim me udhëzimet shëndetësore, duke shkaktuar potencialisht shpërthime. Për bizneset dhe vendet e natës që kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre të mbylljes, me të vërtetë nuk ka zgjidhje të sigurt për sa kohë që virusi po përhapet ende. Shkenca paralajmëron se rihapja me kapacitet të rregullt do të jetë e sigurt vetëm pasi të jetë imunizuar popullata, mbështetur në shqetësimet e reja në lidhje me infeksionin në hapësirat e brendshme.
Plani britanik

Pandemia Covid-19 ka pasur ndikim shkatërrues në një sektor që Shoqata e Industrisë së Argëtimit(APPG) vlerëson se kontribuon me 66 miliardë paund në vit në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar, duke zënë 1.3 milionë vende pune dhe 8% të fuqisë punëtore totale.


Së bashku me klubet e natës, baret, dhe vende me muzikë live që përcaktojnë jetën e natës britanike dhe zakonisht nxisin kaq shumë aktivitete ekonomike, ‘Ekonomia e natës’ krijon zinxhirë të mëdhenj dhe të varur nga burime të pavarur, tregtarë dhe furnizues të vetëm, dhe mbështet mijëra biznese ndihmëse.

Megjithatë, vlera e sektorit për këtë vend është shumë më tepër sesa ajo që mund të matet në PBB – vendet e muzikës, klubet e natës, baret dhe klubet janë zona për aktivitete sociale dhe ekonomike. Sipas një raporti të fundit, kjo industri e gjunjëzuar ka nevojë për vëmendje dhe mbështetje urgjente shtesë nga Qeveria nëse synon të shmangë humbjet e pakthyeshme. Ndër gjetjet kryesore të APPG -së:

Pa mbështetjen urgjente të qeverisë, bizneset e jetës së natës përballen me “zhdukje” që do t’i shohin qendrat urbane të bëhen “qytete fantazma” dhe do të pengojnë rimëkëmbjen më të gjerë ekonomike.
85% e njerëzve që punojnë në sektor po mendojnë të largohen nga industria.
78% e të gjithë punonjësve janë të punësuar sezonalë
Bizneset në ekonominë e natës përbënin mesatarisht 37% të totalit të fuqisë punëtore të tepërt – klubet e natës 51%; baret 26%; vendet me muzikë live 36%; bizneset e zinxhirit të furnizimit 40%.
Në gjysmën e dytë të vitit 2020, bizneset në ekonominë e natës tregtuan mesatarisht me 28% të qarkullimit të tyre vjetor para-Covid – klube nate: 20%; baret 43%; vendet me muzikë live 28%; bizneset e zinxhirit të furnizimit 19%.
Vetëm 36% e punëtorëve të natës të vetëpunësuar kanë qenë në gjendje të kërkojnë Skemën e Mbështetjes së të Ardhurave të Vetëpunësimit (SEISS).
Në këto kushte, masat e qeverisë për sektorin janë:

Zgjerimi i skemës së pushimit derisa bizneset të mund të funksionojnë pa kufizime, dhe zgjerimi i lehtësimit të TVSH-së dhe normave të biznesit deri në fund të vitit 2021.
Krijimi i një udhërrëfyesi për rihapjen e vendeve të natës vonë bazuar në programin e vaksinimit dhe testimin masiv.
Zgjerimi i përshtatshmërisë për Fondin e Rimëkëmbjes së Kulturës dhe nxjerrja e një mbështetjeje të veçantë për sektorin.
Sigurimi i një skeme sigurimi të mbështetur nga qeveria dhe një zgjidhje për spiralizimin e borxhit të qirasë komerciale.
Sigurimi i një fushate të mbështetur nga Thesari për të nxitur kërkesën e konsumatorëve në sektor, kur është e sigurt për ta bërë këtë. /MONITOR/

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement