Tentativa e helmimit të Navalnit, një dështim i Putinit

Rreth 1 vit më parë, në gusht 2020, kritiku dhe kundërshtari i madh i Putin dhe regjimit të tij autokrat, Aleksei Navalny përjetoi sulmin e radhës – thuajse fatal, të orkestruar nga shërbimet famëkeqe të inteligjencës ruse, për eliminimin e tij. Duke u kthyer në Moskë nga një prej takimeve me mbështetës të kauzës së tij, Navalny u sëmur papritur dhe përfundoi në koma. Investigimet e institucioneve eksperte në vendet perëndimore dëshmuan me prova të pakundërshtueshme se agjenti nervor vdekjeprurës i periudhës sovjetike – noviçok – ishte përdorur për helmimin e Navalny.

Që prej asaj periudhe, Rusia dhe vetë Vladimir Putin është përpjekur t’i hedhë hi syve audiencës ndërkombëtare, duke mohuar në mënyrë qesharake dhe gati kllouneske përfshirjen në këtë operacion të pasardhësve të KGB, si dhe përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë, pavarësisht se për këtë u siguruan edhe prova shkencore.

Detaje të shumta mbi përfshirjen e “matrioshkave” të Putin: ekspertë toksikologë, shkencëtarë e kërkues shkencorë, oficerë të inteligjencës dhe sigurisë ruse, u identifikuan dhe u nxorën në pah nga një sërë veprimesh të fshehta investiguese të A. Navalny dhe grupit të tij që nuk ka ngurruar të bëjë publike ndër vite edhe nivelet e larta të korrupsionit të elitës së regjimit rus. Ndër evidencat më domethënëse që hodhi dritë mbi kompleksitetin e aksioneve vrasëse ruse, ishte rrëfimi që Navalny siguroi nga një agjent rus i shërbimit të brendshëm federal të Rusisë, FSB, Konstantin Kudryavtsev. Ky i fundit referoi gjatë një kontakti të drejtpërdrejtë telefonik të inskenuar me qëllim për t’u dukur si interesim urgjent i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Rusisë se: Agjenti vdekjeprurës noviçok ishte vendosur në sasi të konsiderueshme në të brendshmet e Navalny (me shumë gjasë në formë të ngurtë). Rrobat e Navalny ju ishin dhënë në Omsk (me qëllim për të fshehur gjurmët – Navalny dhe grupi i tij kanë kërkuar sistematikisht që rrobat e tij t’u nënshtroheshin analizave)…

Sjellja e Rusisë në rastin e Navalny dhe të tjera çështje të ngjashme me të, janë një pasqyrë e qartë dhe e dukshme e mospërfilljes dhe dhunimit të hapur të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, po aq sa edhe e dhunimit flagrant të normave ndërkombëtare dhe shenjë e inegzistencës së vullnetit të Rusisë për bashkëjetesë të paqtë me partnerët ndërkombëtarë. Përpjekjet ruse për intimidim të oponentëve politikë të Putin/regjimit të tij, për më tepër në kushtet e përdorimit mbi ta të armëve të shkatërrimit në masë, tregon mbi të gjitha nivelin e gjendjes së mjerueshme dhe depresive të këtij regjimi. Pa asnjë lloj dyshimi, sigurimi i shpejtë i provave – për më tepër duke shfrytëzuar të dhëna nga burime të hapura të aksesueshme – mbi formën dhe mënyrën e përdorur nga zyrtarët rus të sigurisë për eliminimin e Navalny, reflektojnë pakujdesi, neglizhencë, mungesë të theksuar të profesionalizmit dhe kalbëzim të infrastrukturës së ndërtuar me fanatizëm sovjetik nga Putin.

Navalny ka përjetuar ndër vite një sërë formash represive nga vasalët zyrtarë të Putin, të cilët nuk hoqën dorë nga planet për “zhdukjen e tij”, duke e burgosur edhe pasi i shpëtoi mrekullisht helmimit me noviçok. Për më tepër, në një përpjekje të nëndheshme për të krijuar idenë e mosimplikimit në helmimin e Navalny, autoritetet ruse shpallën si “ekstremiste” lëvizjen dhe strukturat anti-korrupsion të Navalny, duke ndërmarrë njëkohësisht edhe masa represive kundër aktivistëve të të drejtave të njeriut në Rusi; shtypur me dhunë, burgosur dhe ndjekur penalisht mbështetësit dhe protestuesit pro-Navalny; frustruar kundërshtarët politikë; ushtruar presion dhe ngritur akuza kriminale ndaj gazetarëve, studentëve, etj.

Në këtë zinxhir veprimesh, përpjekjet e Kremlinit për të mohuar përfshirjen në helmimin e Navalny dhe operacione të tjera malinje, bëhen më se të pabesueshme duke kundërshtuar drejtpërsëdrejti edhe faktet dhe analizat shkencore të rreth pesë laboratorëve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Më shumë sesa të fshehë apo shmangë pasojat e veprimeve të veta, duket se Kremlini përpiqet të krijojë për veten njëlloj realiteti alternativ fals, ku e shkuara paranojake e Putin në strukturat e ish-KGB furnizon axhendën malinje të Rusisë, duke sjellë implikime për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit, si dhe kontribuar turpshëm në thellimin e hendekut dhe ndarjes nga vizioni liberal perëndimor.

 

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement