Incidentet në koncertin e Bregoviç, Rama barazon këngëtarin me Dua Lipën

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas koncertit të këngëtarit Goran Bregoviç, që u realizua mes incidenteve, përplasjeve me policinë e gazit lotsjellës.

Në një postim në Facebook, Rama, teksa poston një pesë të koncertit shkruan se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi, por u shndërrua në një “kriminel serb” që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar.

Sjelljen e shqiptarëve, Rama e quan një turp, një histeri mesjetare. Në fund ai shton se një serb që i hakërret Dua Lipës në rrjetet sociale vetëm sepse ajo është një kosovare krenar, nuk ndryshon askund me shqiptarët që iu sulën mbrëmë Bregoviç-it. në këtë mënyrë kryeministri ka barazuar yllin ndërkombëtar me origjinë shqiptare me Bregoviç.

Postimi i plotë:

Një gazetare e mirënjohur shqiptare e Kosovës, e cila respektohet ndërkombëtarisht dhe kontribuon për tribuna prestigjoze të shtypit botëror, e tha shumë troç se Goran Bregoviçi nuk ka asnjë lidhje, me asnjë prej të zezave që iu faturuan nga zjarrnxitës mendjefikur, sa në Prishtinë dhe sa në Tiranë. Por muzikanti i famshëm nga Sarajeva, me baba kroat, nënë serbe dhe grua muslimane boshnjake, u kthye në një “kriminel serb” që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar, pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerash. Paçka se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra, e vërteta as që kishte rëndësi. Rëndësi kishte zjarri i politikës qorre, e cila krijon armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë – thënë aq bukur nga një prej zjarrnxitësve mendjefikur, “Më pëlqen ta dëgjoj Bregoviçin, po nuk shoh dot me sy Edi Ramën!”.

Askush, hiç askund, nuk e dha asnjë provë të vetme për ta justifikuar histerinë mesjetare që shpërtheu kundër një muzikanti nga më të jashtëzakonshmit e Ballkanit. Ishte një histeri fashiste, e turpshme per qytetarinë europiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë. Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht? Ndryshojnë vetëm në faktin se të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët sharjet e mallkimet i lëshojnë në shqip. Të dyja palët i përkasin besnikërisht kategorisë së ulët njerëzore të urrejtësve të verbër, te cilës kjo botë i ka parë vetëm sherrin, kudo e kurdo që ajo ka arritur të imponojë mbi shoqërinë verbërinë e vet.

Nata e fundit e Festës së Birrës në Korçë, ku performoi Goran Bregoviç u mbyl me incidente të shumta. Në turmë u hodh gaz lotsjellës që solli apanikosjen e qytetarëve që kishin shkuar të dëgjonin koncertin. Burra, gra e fëmijë nisën të iknin nga koncerti me sy të përlotur. Një pre tyre përfundoi në spital. Pamjet e publikuara treguan edhe përplasje të policisë me disa qytetarë të tjerë. Pati të arrestuar.

 

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement