Mali i Zi fton Shqipërinë në bisedime për kufirin detar

Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të ulen së shpejti në bisedime për përcaktimin e kufirit detar mes tyre, një çështje ende e pambyllur. Ftesa për diplomacinë shqiptare ka ardhur prej kohësh nga pala malazeze por nuk konfirmohet zyrtarisht nëse kjo çështje u diskutua gjatë vizitës në Tiranë të zv/ kryeministrit Dritan Abazoviq.

Në të njëjtën kohë Podgorica duhet të zgjidhë çështjen gjyqësore me Kroacinë rreth gadishullit Prevllaka, i cili është në hyrje të gjrit të Bokës së Kotorit. Prevllaka ka qenë objekt i mosmarrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë së kohës së Millosheviçit dhe Kroacisë pas shkatërrimit të Jugosllavisë.

Në Prevllakë kanë qenë të stacionuara trupat e Kombeve të Bashkuara. Me një marrëveshje të përkohshme të vitit 2002, hapësira tokësore i takon Kroacisë, ndërsa brezi prandetar është nën administrimin e Malit të Zi.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka deklaruar se Podgorica ka përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e një marrëveshjeje për përcaktimin e kufirit detar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, por është në pritje përgjigja e Tiranës. Zyrtarët shqiptare janë ftuar për t’u përfshirë në këtë proces në mënyrë që kjo çështje të adresohet në përputhje jo thjesht me rregullat ndërkombëtare por edhe me parimin e fqinjësisë së mirë.

Në raportin e tij të fundit, Komisioni Evropian kujtoi se përcaktimi i kufirit detar midis dy vendeve mbetet një çështje e hapur në lidhje me bashkëpunimin ndërkufitar.

Kohët e fundit komisioni i përbashkët për rindërtimin dhe riparimin e shenjave në vijën e kufirit shtetëror Shqipëri-Mali i Zi, vendosën në mirëkuptim të plotë me palën malazeze 21 bova si shenja të reja dalluese në liqenin e Shkodrës, ndër të cilat 3 me sinjal ndriçues për natën.

Ndërkaq në ujërat detare ndërmjet Tivarit dhe Ulqinit, kompania italo-ruse “Eni-Novatek” dhe ajo greke “Energean” kanë nisur kërkimet për gjetjen e naftës në thellësitë e nëndetit të Malit të Zi.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement