Përplasja e policisë me bizneset/ Meta: Vlora s’e meriton një trajtim të tillë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas përplasjes së punonjësve të policisë dhe pronarëve të bareve e restoranteve në zonën e Lungomares, teksa deklaroi se Vlora nuk e meriton një trajtim të tillë.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Meta u shpreh se Policia e Shtetit duhet të dëshmojë ndjeshmëri dhe përgjegjshmëri në adresimin e çështjeve që shqetësojnë biznesin.

Sipas Kreut të Shtetit, protestat paqësore janë një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta, dhe dhuna e pajustifikuar është e papranueshme dhe e dënueshme.

”Duke ndjekur me vëmendje dhe vlerësuar situatën shqetësuese të krijuar mbrëmë në Vlorë, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve, që shqetësojnë biznesin, në përputhje me kuadrin ligjor.

Protestat paqësore janë një e drejtë, që garantohet nga Kushtetuta. Dhuna e pajustifikuar dhe shporporcionale ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve, në veçanti ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme dhe e dënueshme.

Jo arroganca dhe arbitrariteti, por dialogu i sinqert dhe bashkëpunimi i ofruar nga shteti ofrojnë patjetër mundësi për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kurrsesi Vlora nuk e meriton një trajtim të tillë!”, shkruan Meta në rrjetin social, Facebook.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement