Rritet papunësia, INSTAT: Grupet më të prekshme janë të rinjtë

Pasojat që pandemia shkaktoi në aktivitetet ekonomike u reflektuan dhe në tregun e punës i cili nuk po arrin të rimëkëmbet duke cenuar kryesisht grupet më të prekshme, të rinjtë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti shkalla e papunësisë për këtë grupmoshë arriti në 23.3% me një rritje prej 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Kjo rritje rezulton të jetë më e lartë se ajo në periudhën e karantinës gjatë vitit të kaluar.

Rreth 70% e të rinjve që i përkasin moshës 15-29 vjeç që deklarojnë se janë nxënës ose studentë dhe ekonomikisht jo aktivë.

Megjithatë, të prekura rezultojnë të gjitha grupmoshat. Sipas raportit kriza e Covid-19 e çoi shkallën zyrtare të papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart në 11.9% me një rritje prej 0.5% në krahasim me tremujorin e katërt 2020-ës.

Niveli i papunësisë në këtë periudhe ka arritur nivelet e tremujorit të dytë të vitit 2020, kur vendi ishte në kufizim të plotë.

Me rihapjen e ekonomisë, papunësia shënoi rënie në tremujorin e tretë dhe të katërt për t’u rikthyer në trendin rritës në këtë fillim viti.

INSTAT raporton se përkeqësimi është më i lartë te gratë dhe vajzat e grupmoshës 15-29 vjeç, duke arritur në 24.4%, niveli më i lartë që nga tremujori i parë i vitit 2018.

Shkalla e punësimit në ekonomi ka rënë në 59% me një tkurrje prej 2.6% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave sektoriale të INSTAT, efektin kryesor në rënien e punësimit e ka dhënë bujqësia.

Në terma vjetorë në këtë sektor punësimi ka rënë me 7.8% ndërsa tek shërbimet me 0,3 %.

I vetmi ku është regjistruar rritje rezulton sektori i industrisë me 1.5%.

Të dhënat e INSTAT për pagat mesatare për profesionet, tregojnë që ata që kanë mbaruar ekonomik kanë dhe mundësinë që të përfitojnë më shumë të ardhura.

Gjatë tremujorit të parë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 81,2 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar.

Në këtë periudhe paga mesatare mujore në Shqipëri ishte 56 mijë e 19 lekë, me një rritje prej 5.2% në raport me vitin e kaluar.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement