Zgjerimi ekonomik i Kinës në Shqipëri dhe Rajon e rreziqet që mbart ky zgjerim ekonomik

Nga Bekim Bici

Ballkani është udhëkryq dhe pikëtakim ku gjatë historisë janë takuar shtete dhe perandori. Është pozita e veçantë gjeografike e këtij rajoni që është bërë shkak që fuqitë botërore të synojnë për realizimin e interesave të tyre politike ekonomike ushtarake apo edhe gjeopolitike. Teksa Ballkani ka qenë pikësynimi i superfuqive si  Rusia, Perandoria Osmane, Austria, ish BRSS, SHBA apo edhe BE, tashmë në skenë është shfaqur fuqishëm një tjetër superfuqi botërore siç është Kina. Shqipëria për shkak të pozitës gjeografike, është një nga vendet në mos vendi më i lakmuar nga fuqitë botërore, si portë hyrëse në Ballkan e në Lindje në përgjithësi.

Ndikimi i Kinës në Ballkan është i fokusuar kryesisht në aspektin ekonomik. Kjo qasje është në përputhje të plotë me objektivat e saj strategjike, ku ekspansioni ekonomik identifikohet si prioriteti kryesor. Andaj, objektivë e politikës së jashtme Kineze në të gjithë botën është ajo që njihet si “Diplomacia e Investimeve në Tregti” (Trade Investment Diplomacy). Kjo strategji zbatohet edhe në vendet e Ballkanit.

Raportet miqësore dhe gatishmëria e Shqipërisë për të mirëpritur investimet Kineze është shprehur qartë në 7 prill të vitit 2017 kur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me delegacionin kinez të kryesuar nga zv.kryeministri Zhan Gaoli, vendosën për ngritjen e komisionit Ekonomiko-Tregtar, një nismë e dy vendeve që shqyrton potencialet e mundësitë për bashkëpunim.

Aktualisht qëllimi kryesor i Kinës, sa i përket raporteve me Shqipërinë, është krijimi i qasjes në portet detare, përmes së cilave mundësohet qasje në Detin Adriatik dhe atë Jon, teksa vendi ynë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar. Për të qenë më konkret, Shqipëria i ka ofruar Kinës portin e Shëngjinit në formë të koncesionit për 25 vjet, në këmbim të investimit dhe rinovimit të tij substancial, pasi kemi të bëjmë me një port të dëmtuar.

Nga ana tjetër, Kina synon edhe veprat e mëdha infrastrukturore e teknologjike, vlera e të cilave është shumë e madhe. Por krahas ekonomisë së lire, Kina në vetvete mban interesa të fshehura, të cilat realizohen kur shtetet në të cilat investon Kina, nuk mund të shlyejnë huatë e marra. Megjithëse huazimi i Pekinit mund të ndihmojë vendet në zhvillim, një grumbullim i errët i borxhit përfundimisht mund të zvogëlojë rritjen ekonomike. Përballë këtyre borxheve, vendet detyrohen të nënshkruajnë për dhënien e pjesëve të ndryshme të territoreve për shlyerjen e tyre.

Qëllime të tilla të Kinës, shqetësuar Bashkimin Evropian, ku zyrtarë të ndryshëm akuzojnë unionin për nënvlerësim të rolit të Kinës në Ballkan. Eurokomisioneri për zgjerimin Johannes Hahn, marrja e huave nga disa shtete të Ballkanit në vlera të mëdha nga Kina, rrit rrezikun që ekonomitë e brishta të rajonit, më shumë sesa të zhvillohen, rrezikojnë të dëmtohen.

Shqetësim i tillë është ngritur edhe në Konferencën e Sigurisë të mbajtur 2 vite më parë në Mynih të Gjermanisë. Kina nëpërmjet asaj që njihet si ‘Diplomacia e borxh-mbetjes’, jo vetëm që mund të ndikojë politikisht në këto vende, porn ë anën tjetër mund të marrë pika strategjike, siç janë portet. Duke mbajtur një distancë të barabartë diplomatike nga Uashingtoni dhe Moska dhe duke përfituar nga një partneritet strategjik me BE-në, Kina po e përdor Ballkanin si një “tokë e askujt”, që mund të arrihet lehtësisht për të bërë një hyrje evropiane. Kanali kryesor do të jenë portet mesdhetare.

Nëse do të ndalemi e të hedhim një sy në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi është vendi me përqindjen më të madhe të borxhit kinez. Ngjarjet e fundit tregojnë rrezikun eminent, ku vendi ynë fqinj rrezikon që të humbë portin e Barit apo territor të vetin. Borxhi prej rreth 1 miliard eurosh i cili iu ofrua Malit të Zi si një ‘ndihmë financiare’ për ndërtimin e autostradës, tashmë është kthyer në një mine me sahat. ‘Ndihma’ të tilla Kina ka ofruar edhe për shumë vende të tjera, ku mund të përmendim Sri Lankan, e cila për shkak të borxhit ndaj Kinës dhe pamundësisë për ta shlyer, I dorëzoi në vitin 2017 Pekinit zyrtar një port strategjik.

Pas presionit të vazhdueshëm nga Kina që Mali i Zi të shlyejë borxhin, disa javë më parë i dërgoi një letër Parlamentit Europian nëpërmjet zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviç, që të vendi i tyre të çlirohej nga ndikimi kinez dhe ai rus. Nga ana tjetër Ministri malazez i Financave Milojko Spajić i ka dërguar një letër dërguar Bankës Kineze Exim, për zgjatje afatesh, pasi sipas tij Malit të Zi i duhen të paktën 3 vite për shlyerjen e borxhit.

Projekti është financuar nga banka kineze “Exim” është ai I autostradës që do të lidhë Malin e Zi me Serbinë e Italinë, por ekspertët vendas pohojnë se edhe pse një vepër me rëndësi të madhe infrastrukturore dhe ekonomike, kjo do të çojë në nivele kritike financiare. E vërteta është se paralajmërimet e ekspertëve sot po rezultojnë edhe më të prekshme. Ekspertët përveç dhënies së portit të Barit apo ndonjë pjese territori, paralajmërojnë si skenarin më të keq falimentimin e shtetit.

Ashtu siç thamë në fillim të këtij shkrimi, Shqipëria është shprehur e gatshme për bashkëpunim me Kinën për vepra të mëdha infrastrukturore. Por zgjerimi ekonomik i Kinës në vendin tonë dhe rajon mbart rrisqe të fshehura të cilat shfaqen në momentin kur huamarrësit shfaqin vështirësinë për shlyerjen në kohë të borxhit. Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë që të kemi kujdes nga investimet kineze sidomos ato off-shore. Pushtimi ekonomik është kurthi dhe pushtimi më i frikshëm, nga i cili hyrja është e garantuar por dalja jo, pushtim i cili sjell më pas edhe atë politik.

Burimet: “Respublica”, “eupolicyhub.eu”, “nato.int”, “kryeministria.al”, “HRT”, “B92”

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement