MASHTRIMI me kreditë e ‘FONDIT BESA’/ Policë dhe prokurorë në mbështetje të Bajram Muçës

Duhet të paguash paratë e kredisë! Ke tre muaj kohë, ndryshe do t’u sekuestrojmë gjithçka! Po pagove gjithë shumën për një herë ke 30% të totalit zbritje…!”

Me këto fjalë janë paraqitur sot disa grupe “të fortësh” të kontraktuar nga “Fondi Besa” në dyert e disa familjeve në qytete e Rrogozhinës dhe Peqinit, ku familjarët ishin mashtruar disa kohë më parë nga rrjeti i gjerë i sekserëve dhe në emër të tyre ishin marrë kredi.

Në shumë raste banorët janë përballur për herë të parë me këtë gjë, pasi në asnjë rast nuk u është dhënë në dorë një dokument apo kontratë me “Fondin Besa”, ku është marrë kredia konsumatorë dhe shuma e saj.

“Priza.al” ka mësuar se, bëhet fjalë për kredi konsumatorë që janë tërhequr nga arkat e “Fondit Besa” disa vite më parë, ose nga sportelet e bankave private me të cilat Fondi kishte lidhje.

Por individët në Rrogozhinë dhe Peqin, të cilëve sot u kanë trokitur në derë mercenarë me uniforma që u kërkojnë paratë, pretendojnë se paratë nuk i kanë marrë ata, madje as e dinë që paskan aplikuar për kredi pranë “Fondit Besa”.

Kjo gjë është bërë një praktikë e përsëritur tashmë, pasi shumë individë, disa mijëra, janë mashtruar për disa para xhepi, që të “hapin llogari bankare”, por surpriza për ta ka qenë se në fakt personi që u kërkonte hapjen e llogarisë, u merrte të dhënat personale, vetë ose nga sportelistët e bankave private, dhe më pas me shumë lehtësi tërhiqte paratë te “Fondi Besa”.

Nga ana tjetër, vetë “Fondi Besa” që tashmë e pranon me prova ekzistencën e rrjetit të sekserëve mashtrues, gjatë kohës që nxirrte kredi pa fund nga sportelet e arkave të tij, i vinte mirë pasi po rritej ndjeshëm portofoli i kredidhënies.

Por kjo është vetëm një version zyrtar i parashtruar edhe nga disa prokurorë të blerë nga “Fondi Besa”, ku mbi bazën e pretendimeve të tilla mbyllnin çështjet që rëndonin kundër “Fondit”.

Ndërsa e vërteta në fakt është krejt ndryshe, dhe nga të gjitha materialet që “Priza.al” ka mundur të sigurojë, një pjesë e të cilave tashmë të publikuara, del se kemi të bëjmë me një skemë mafioze zhvatjeje dhe pastrimi parash të mirë menduar dhe mirë organizuar nga vetë “Fondi Besa”.

Përdorimi i parave të “Fondit” në fushatën elektorale  

“Priza.al” tashmë po mbledh edhe më shumë prova dhe fakte që po tregojnë se një pjesë e konsiderueshme parash, në shumë që kapin disa milionë euro, janë nxjerrë nga “Fondi Besa” në formë “kredish” pikërisht vetëm disa muaj para zgjedhjeve të 25 prillit.

Sipas burimeve konfidenciale brenda “Fondit Besa”, këto para janë tërhequr në emër të individëve të caktuar që kanë pasur lidhje apo ishin angazhuar në fushatën elektorale.

“Shuma të konsiderueshme në formë ‘kredish’ të rreme kanë dalë nga arkat tona ose nëpërmjet bankave por në emër të vet Fondit, dhe u janë dhënë personave që po bënin fushatë elektorale për LSI-në.

Ata nuk janë paraqitur vet, por nga ana e shefave të degëve janë urdhëruar përgjegjësit dhe oficerët e kredive që të qepnin dosjet e tyre. Kreditë kanë qenë goxha të mëdha.

Po flasim këtu për shuma që fillonin nga 100- 800 apo 900 mijë euro, njëra. Nuk kishin dalë më parë nga degët tona shuma kaq të mëdha për një klient dhe nuk ishin bërë dosje për kredi të tilla kaq të mëdha.

Nuk e di se me ça guximi i bënë ata që i bënë, por me sa kam marr vesh ishin me urdhër nga Bajrami… Ai ua dha atyre të LSI-së, se kishte edhe vëllain e tij me ta”,- ka deklaruar për “Priza.al” një burim nga zyrat e “Fondit Besa” në Tiranë.

Duket se justifikimi i nxjerrje së një sasie kaq të madhe parash, në një kohë të shkurtër, në një kohë që “Fondi Besa” ka edhe probleme të mëhershme me portofolin e kredive, ishin arsyeja e nisjes së këtij operacioni të menjëhershëm borxh-mbledhës.

Policia nuk reagon për paraushtarakët e “Fondi Besa”

Ngritja e grupeve për mbledhje të borxheve apo zyrtarisht e një “task-force” me përmbarues dhe oficerë kredie nga ana e “Fondit Besa”, nuk ka ndodhur rastësisht tani.

“Priza.al” ka marrë këto ditë shumë informacione nga individë të ndryshëm, në zona të ndryshme të vendit, që janë kontaktuar në telefon ose personalisht dhe u është propozuar një “dill” me “Fondin Besa”.

Por ajo që është më e çuditshme është fakti se shumë persona apo familje që janë gjendur përball një situata “surprizë” nga “Fondi Besa”, nuk kanë pranuar asnjë lloj ujdie, pasi nuk janë ata konsumatorë të kredisë, apo nuk kanë pasur asnjëherë kontakte apo lidhje me “Fondin”.

Kjo ka ndezur shumë konflikte këto ditë mes individëve dhe përmbaruesve apo borxh-mbledhësve të “Fondit”, dhe një pjesë e personave i janë drejtuar edhe Policisë për mbrojtje.

Ajo që përbën një skandal më vete për gjithë këtë ngjarje në zhvillim e sipër, është fakti se në shumë rajone apo posta policore, efektivët janë urdhëruar nga eprorët që të mos ndërhyjnë.

“Priza.al” këtë gjë e ka mësuar nga dëshmi qytetarësh të ardhura nga Fieri, Mallakastra por dhe Rrogozhina. Duket se një pjesë e Policisë së Shtetit ose është bërë palë, ose është paguar që të heshtë përballë kësaj skeme të re banditizmi dhe dhune.

Por nuk janë të përjashtuara rastet që disa apo një pjesë e mirë e mercenarëve të paguar nga “Fondi Besa” për të qenë si “krah i fortë” në task-forcë, të jenë efektivë policie të dypunësuar.

Në ditët në vijim “Priza.al” do të bëjë publike edhe emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të Sistemit të Drejtësisë, që të joshur nga paratë e Bajram Muçës dhe “Fondit”, janë bërë pjesë e kësaj loje të ulët vjedhjeje dhe mashtrimi të organizuar, në dëm të qytetarëve të painformuar.

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement