Hapja e negociatave me BE-në/ Michael Roth: Shqipëria ka plotësuar kushtet! Rama shpërfillës: S’jam i shqetësuar…

“Ne jemi defacto në disa aspekte më para se ata që po negociojnë, ne do ta bëjmë dhe më mirë detyrën.Çfarë do vijë është e mirë se ardhur, s’jam i shqetësuar,”-ky ishte mesazhi shpërfillës që kryeministri dërgoi për vendimin që do të marrë Këshilli i Europës për integrimin e vendit në BE. Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth ka mbërritur sot në Tiranë ku edhe ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, në fokus të të cilës ishte integrimi dhe çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Në një konferencë për shtyp nga Kryeministria, Roth pranoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe meriton çeljen e negociatave, duke bërë kështu një autokritikë para mediave shqiptare. Në fjalën e tij, ai shtoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një “partizane” e integrimit të Ballkanit Perëndimor, por me duar dhe këmbë artikulloi se nuk dilte dot kundër traktateve të BE-së ku duhej unanimitet.

Teksa ministri Roth bënte autokritikë, vetë Rama gjeti mundësinë për të “goditur” sërish Bashkimin Europian, jo vetëm për çeljen e negociatave. Kësaj here çështja kryesore për Ramën ishte kufizimi i lëvizjes në bazë të vaksinave anti-COVID, duke preteduar për një ndaje të qëllimtë Lindje-Perëndim. Kreu i qeverisë tha se lëvizja e lirë në vendet e BE edhe e personave që kanë marrë vaksina kineze apo ruse është shumë e rëndësishme, ndërsa të kundërtën e quajti shkelje të të drejtave të njeriut.

E teksa fliste për perspektivën e ndarjes nga Maqedonia e Veriut më 22 qershor, Rama gjeti momentin për të përmendur dhe Kosovën, si të mbajtur “peng” nga vende skeptike të BE-së, duke mos pasur ende mundësinë për të liberalizuar vizat.

Në fund, numri një i maxhorancës iu rikthye edhe njëherë “ndërtimit të urave” me opozitën duke kërkuar bashkëpunim, teksa premtoi se ishte gati që të bënte gjithçka që vendi të shkonte para. Opozita, nuk doli nga lista e mesazheve as të ministrit Roth, i cili qartë uroi Ramën për mandatin e tretë, duke thënë indirekt “njohjen” për procesin zgjedhor.

I besuari i kancelares gjermane, Angela Merkel do të qëndrojë për 2 ditë në Shqipëri, ku do të takojë figura të rëndësishme të vendit, presidentin, kreun e opozitës, etj. Më herët, Roth ishte në Maqedoninë e Veriut.

 

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement