PD voton për kryetar! Basha rikandidon: Mos drejtoni gishtin nga unë për humbjen, ka ndodhur ‘masakër’.

“Në PD ka vend për të gjithë! Të bashkuar ju ftoj t’i prijmë betejës,”-kështu e nisi fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pas 6 orësh mbledhje, Partia Demokratike voton për kryetar më 13 qershor. Propozimi u hodh gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ku edhe mes debateve dhe diskutimeve u kërkua që brenda muajit, demokratët të votojnë për liderin e tyre. Propozimi u miratua unanimisht, disa orë më pas, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Në krye të Komisionit për zgjedhjen e kryetarit të ri do të jetë Jemin Gjana, ndërsa antarësia do të përbëhet nga Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Eno Bozdo. Nërsa ndihmësat do të jenë Mimoza Hasekiu, Albert Avduli, Gjoke Vuksani, Ervin Minarolli dhe Lulzim Omuri. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi procesi i zgjedhjes brenda partisë do të hapet më 16 maj deri më 22 maj, më 23 do të duhet që të gjitha kandidaturat të depozitohen zyrtarisht. Pasi të jenë depozituar kandidaturat, fushata për kreun e ri të PD-së do të zhvillohet mes datave 24 maj dhe 11 qershor. Basha ka konfirmuar se do të rikandidojë për postin, ndërsa përballë deri më tani ka vetëm Fatbardh Kadillin.

Por çfarë ndodhi sot gjatë dy mbledhjeve? Cilat ishin debatet më të ‘nxehta’?

Fatbardh Kadilli, Bujar Nishani dhe Arben Ristani kanë qënë disa nga zërat që kanë kërkuar largimin e Bashës nga kryesimi i demokratëve. Duke e cilësuar si të dështuar rezultatin e marrë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kanë kërkuar që Basha të mbajë përgjegjësi, duke lëshuar karrigen. Ky i fundit ka analizuar edhe njëherë rezultatin e 25 prillit, duke e cilësuar si masakrën më të madhe zgjedhore që ka ndodhur në historinë e pluralizimit në Shqipëri. Ndaj edhe ka shtuar se i duhet mbështetja e anëtarëve të Kryesisë për të sjellë ndryshimin në vend. Sipas tij, gishti për humbjen nuk duhet drejtuar ndaj tij por ndaj kundërshtarëve politikë! Sa i përket, vjedhjes së votave, Basha tha se gjatë fushatës për kryetar të PD-së do të shpjegonte edhe mekanizimin e ri për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve, ndërsa pranoi se në shtator do të ishte pjesë e parlamentit të ri.

Si është situata deri më tani pas 25 prillit?

Partia Demokratike ka ankimuar në KAS rezultatin e zgjedhjeve për 9 qarqe ku kërkon rivotim, ndërsa LSI ka bërë ankimimin për 5 qarqe ku kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave. Pas rrëzimit që KAS iu bëri kërkesave të opozitës për qarkun e Gjirokastrës, situata ka ndryshuar me qarkun e Beratit. Në një klimë të fortë debati me anëtarët e KAS, u vendos rihapja e kutive në 24 qendra votimi në Berat, duke pranuar kërkesën e LSI për të patur rinumërim në këto qendra. KAS vendosi që do të merren si prova dokumentet për 24 qendrat e kërkuara nga LSI dhe se do të jetë administrata e KQZ që do të merret me transportin dhe hapjen e kutive. LSI pretendon se kutitë në këto qendra janë të mbushura me më shumë fletë votimi sesa votuesë. Me administrimin e provave do të vendoset nëse do të ketë një rinumërim ose jo në këto kuti.

 

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement