3 vrasje në 24 orë/ Ardi Veliu, një spektator në krye të policisë teksa bandat përgjakin rrugët

Muaj maj ka nisur i përgjakur. Brenda dy ditëve, tre persona humbën jetën në Vlorë, Tiranë e Elbasan. Krimi po e përgjak vendin përditë përballë një policie që nuk e ka më situatën nën kontroll.

Pas ekzekutimit mafioz të ndodhur në Vlorë një ditë më parë,  ku mbeti i vrarë Bledar Birçaj, një tjetër vrasje tronditi Tiranën mbrëmjen e djeshme ku humbi jetën Mehmet Qema nga Hasi.

Ende pa u zbardhur dy vrasjet e para, arma kërciti sërish në Elbasanin e trazuar prej vitesh. I vrarë mbeti Everest Çakaj.

Përveç ngjarjes së Tiranë ku autori dorëzua pasi vrau aksidentalisht shokun e tij, për dy ngjarjet e tjera policia nuk ka ende asnjë të dhënë për autorët.

Drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu u pa sonte në vendin e krimit në Elbasan, njësoj si në përplasjen e pak javëve më parë po në këtë qytet, njësoj si kofini pas të vjelit.
Ashtu siç jo rrallë herë edhe vetë kreu i policisë Ardi Veliu e përmend në konferencat e “fryra” për mediat ku goditen grupe kriminale kryesisht me indicie ndërkombëtare, detyra e policisë dhe e një drejtuesi policie është që të ngrejë struktura për parandalimin e krimit dhe jo të numëroj viktimat, siç po ndodh në të vërtetë në këtë realitet të hidhur në vendin tonë.

Që nga fillimi i këtij viti janë kryer 19 vrasje, ose thënë ndryshe një vrasje në javë, nga më të bujshmet, si eliminimi i Shkëlzen Kastrati në Fier më 1 shkurt, Behar Sofia në Tiranë më 25 shkurt, Bardhok Pllanaj në Shkodër më 4 prill, Pjerin Xhuvani në Elbasan më 21 prill, Bledar Birçaj në Vlorë, e së fundmi Everest Çakaj në Elbasan.

Nuk janë vetëm jetë të humbura, por edhe një sagë hakmarrjesh e grupeve kriminale që po bëjnë ligjin në vend përballë një policie sa të pafuqishme aq edhe të paaftë për të vënë rendin duke parandaluar krimet e rënda.

Shumë vrasje tipike mafioze janë të pazbardhura, ndërsa policia ka mbetur vetëm të numërojë viktimat për statistikë.

Nën drejtimin e Ardi Veliut policia po e humbet përditë betejën me krimin.
Nga një organizatë me ekspertë të antikrimit, ajo është shndërruar në policinë më të politizuar në Shqipërinë post-komuniste, aq sa policët me uniformë apo civilë janë disa herë më të zellshëm të ndjekin rrugicë më rrugicë të rinjtë që protestonin për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre Klodian Rasha nga një polic, sesa në ndjekje të kriminelëve.
Me Ardi Veliun, kjo polici është më agresive me protestuesit partiakë sesa me “të fortët” që shpërfillin ligjin apo që u drejtojnë armët, siç ndodhi në rastin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Ai u vra para syve të krerëve më të lartë të policisë së këtij qyteti teksa Kelment Xhaferraj i vuri armën në kokë nëndrejtorit të policisë dhe asnjē nga 12 policët e tjerë të pranishëm nuk reagoi.
Asnjëri nuk shkrepi asnjë plumb.
Ardi Veliu u paraqit në Elbasan sërish duke numëruar të vrarët, madje, i zënë ngusht nga gazetarët që po i vinin në dukje sjelljen skandaloze të policëve të tij, gënjeu publikisht.
Është e tepërt të presësh që policia të sillet me krimin ndryshe nga shefi i saj.
Për ta kuptuar këtë, mjafton të rikujtojmë skandalin në shoqërimin e Eskobarit të Ballkanit, Klemend Balili.
Edhe pse trafikanti më i kërkuar në Ballkan, Balili u trajtua nga Ardi Veliu si mik.
Ky është degradimi më i madh që i është bërë ndonjëherë policisë së shtetit, për shkak se ajo nuk drejtohet më nga profesionistët, por nga militantë partiakë që nuk kanë as gradat e duhura për postet që mbajnë, njësoj si kreu i kupolës së saj dhe që përballë grupeve kriminale që po përgjakin rrugët e lagjet tona sillen si spektatorë /Zoom.al

Për t’u bërë pjesë e page dhe grupit të “Maska.al” ne FB mjafton të klikoni:
Like Page
dhe Join Group




Advertisement